Publikuar në: Die, nën 18th, 2012

Zhvillimi i sportit ndër vite

Shpërndaje
Tags

Studimi i zhvillimit të sportit në historinë e njerëzimit mund të na japi të dhëna të rëndësishme mbi ndryshimet shoqërore të cilat me kalimin e shekujve kanë ndikuar mbi konceptimin e sportit në varësi të kulturave të ndryshme.

Konceptimi i sportit si aktivitet që përfshin aftësitë fizike e mendore të njeriut, me qëllim për ti ushtruar dhe përmirësuar vazhdimisht, e për ti përdorur më pas në një mënyrë më frytdhënëse na jep idenë se sporti është pothuajse aq antik sa edhe zhvillimi i inteligjencës së njeriut.

Parahistoria

Gjatë shekullit të XIX nga shumë kërkime të kryera në Francë, Afrikë dhe Australi, është arritur në përfundimin se në tempujt parahistorikë, zhvilloheshin ceremoni dhe rituale të cilat përfshinin aktivitet fizik nga ana e pjesëmarrësve. Disa nga këto gjetje i përkasin një epoke gati 30 mijë vjet më parë.

Ka ilustrime që i përkasin epokës së gurit të cilat janë gjetur në shkretëtirën e Libisë , ku shfaqen qartë njerëz duke notuar apo duke përdorur harkun. Po këto grafite tregojnë qartë interesin e njeriut të shpellave për aktivitete të cilat nuk ishin të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllimin për tu ushqyer por ishin thjesht një kohëkalim.

Kina antike

Zbulimet e kryera në ndërtesat antike na çojnë në përfundimin se qytetërimi kinez ka praktikuar aktivitete sportive duke u nisur që nga vit 4000 p.e.s. Zhvillimi i disiplinave antike në Kinë mendohet se ka qenë i lidhur ngushtë me veprimtari të tjera të jetës së njeriut si: agrikultura, artizanati, luftërat apo dhe kohëkalimet e ndryshme.

Nga dokumentet dhe provat e tjera të gjetura në tempuj rezulton se sporti më popullor në absolut ka qenë gjimnastika, zhvillimi i së cilës ka çuar në lindjen e arteve marciale. Stili më i njohur, pa dyshim qe s’ka si të jetë tjetër përveç Kung-Fu-së në tempullin Shaolin, që përfaqëson më së miri traditën akrobate të artistëve të cirkut kinezë, një nga më të famshmit edhe në ditët e sotme.

Egjipti i lashtë

Shkrimet në monumentet e vjetra egjiptase tregojnë qartë se që në kohën e faraonëve praktikoheshin një sërë aktivitetesh si: mundja, gjimnastika, boksi, noti, kanotazhi, peshkimi, atletika dhe lloje të ndryshme të sporteve me top.

Faraoni, së bashku me burrat e shtetit të Egjiptit të Vjetër asistonin shpesh në gara sportive duke i mbështetur fuqimisht ato pasi i shikonin si një bazë e mirë për formimin e njeriut dhe promovimin e ndërtimit të ndërtesave të ndryshme.

Jeroglifet e gjetura provojnë se egjiptasit kanë shpikur rregulla për sporte disa mijëra vjet para grekëve e jo vetëm kaq por për respektimin e tyre caktohej një arbitër neutral ndërsa skuadrat kundërshtare duhet të kishin secila një uniformë.

Edhe vlerësimi i skuadrave me një çmim është një tjetër traditë egjiptase… Fituesi vlerësohej për superioritetin e treguar në fushën e lojës ndërsa humbësi për shpirtin e garës.

Antikiteti Grek

Greqia dallohet për shumëllojshmërinë dhe veçantinë e sporteve. Më të praktikuarat ishin: garat e vrapit, kërcimi së gjati, mundja, boksi, hedhja e shtizës, hedhja e diskut dhe garat me karroca. Shumica e sporteve lidhen ngushtë me kulturën luftarake të qytetërimit antik Grek.

Lojërat Olimpike mendohet të jenë zhvilluar për herë të parë në një fshat të vogël të Peloponezit në vitin 776 p.e.s për të nderuar Zeusin. Olimpiada nuk ishte vetëm një aktivitet sportiv por edhe përfaqësim i aftësive individuale të pjesëmarrësve, të kulturës por mbi të gjitha për të treguar respektin ndaj perëndive.

Perandoria romake

Kultura Romake ashtu si ajo helene e ka mbështetur gjithmonë sportin megjithëse jo me aktivitete të kalibrit të Lojërave Olimpike. Praktikimi i sportit me shumë se sa garë, ishte një aktivitet që ndihmonte në rritjen e mirëqenies fizike, një element i rëndësishëm ky, i kulturës romake.

Që në kohët e themelimit të Romës shpeshherë organizoheshin aktivitete ose festa fetare në qendër të së cilave qëndronin garat në sporte të ndryshme. Që në kohët më të lashta në Romë praktikoheshin pothuajse të gjitha sportet, megjithatë më të preferuarat ishin mundja, boksi dhe një përzierje e tyre e quajtur “pankrac” që shpesh përfundonte me vdekjen e njërit prej konkurrenteve.